Park pylli Vodno, sot përfshin njërën prej sipërfaqeve më të rëndësishme të gjelbërimit në rrethin e Shkupit, i njëjti për shkak të shtrirjes së madhe hapësinore si dhe për shkak të qëllimit të tij, luan një rol të pazëvendësueshëm drejtë mbrojtjes sanitare – higjienike, ekologjike por në të njëjtën kohë ofron edhe rekreacion sportiv.

Pyllëzimi i Vodnos ka filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht nga viti 1946. Përmes masave komplekse lidhur me pyllëzimin si dhe përmes masave mbrojtëse, pjesa e zhveshur i Vodnos është shndërruar në një pyll. Qëllimi fillestarë ka qenë mbrojtja e tokës nga erozioni si dhe mbrojtja e objekteve dhe e vendbanimeve në afërsi, por edhe përmirësimi i regjimit ujorë në mjedisin më të gjerë. Në të njëjtën kohë Vodno do të shpallet si park – pyll në vitin 1976, kurse nën kompetenca të NP “Parqe dhe gjelbërime” është bartur në vitin 1988.

Maja më e lartë e Vodnos – Kërstovari (1.067 m), me shtëpinë e alpinistëve dhe me Kryqin e Mileniumit, paraqet një vend vështrim dhe një karakteristikë markante e qytetit dhe e fushëgropës së Shkupit si një tërësi. Në pjesët më të larta të Vodnos janë ruajtur llojet bimore të: gështenjës, dushkut, frashrit dhe shkozës.

Në suaza të pjesëve të pyllëzuara të Vodnos, me rëndësi dhe me atraktivitet të veçantë janë edhe të mbjellat e shpeshta të pishës së zezë. Vodno, për dallim nga e kaluara, tani paraqet një territor tërësisht të pyllëzuar, duke i falënderuar bazamentit specifik gjeologjik dhe klimës, i njëjti është populluar me një botë relativisht të pasur bimore dhe shtazore.

Nga fauna e Vodnos, më e pasur dhe njëherit më pak e hulumtuar është fauna e pa kurrizorëve. Nga ana tjetër, dallohet edhe fauna e pasur e: karkalecave, fluturave ditore, garuesve, ujë tokësorëve, zvarranikëve, shpendëve dhe gjitarëve. Kurse prej kërpudhave janë të regjistruara 143 lloje (më të shpeshta makromicetat).

Në park pyllin hasen shtatë grupe të përhapura të eko sistemeve:

  1. Eko – sistemet natyrore të pyjeve

* Pyjet e dushkut

* Pyjet e gështenjës

* Kaçuba

  1. Pyje antropogjene

* Të mbjella të përziera pyjore të drunjve gjetherënëse dhe kreshtore

* Të mbjella të pishës së zezë

  1. Hapësira të hapura me dëllinjë
  2. Eko – sisteme të thata barishtore
  3. Klife gëlqerore
  4. Sipërfaqe të tokave të punuara, vreshta dhe pemishte
  5. Vendbanime

Vendndodhja      

Vodno ndodhet në pjesën jugperëndimore të fushëgropës së Shkupit, dhe në njëfarë mënyre në pjesën veriore e ndan fushëgropën e Shkupit me qytetin e Shkupit kurse në pjesën jugore kufizohet me vend derdhjen e lumit të Markos dhe me rrafshnaltën e Breznicës.

Në drejtim nga lindja në perëndim, Vodno shtrihet në gjatësi prej rreth 12 km, duke filluar nga uzina Usje deri te lumi Treska, përkatësisht liqeni Matka.

Sipërfaqja
Vodno shtrihet në një sipërfaqe prej 4481,02 ha.

Në këtë sipërfaqe bëjnë pjesë pyjet e rritura, sipërfaqet e zhveshura, kullosat dhe shtigjet e pyjeve.

Reliefi

Lartësia më e ulët mbidetare në park pyllin Vodno është 280 m.

Lartësia më e lartë mbidetare është 1066 m.

Ky dallim i lartësive dhe terreni i thepisur mundëson zhvillimin e suksesshëm të mbjellave pyjore të llojeve të ndryshme të drunjve, siç janë: dushku, pisha e zezë, bliri, mështekra, gështenja, shkoza etj.

Meqenëse park – pylli Vodno, shtrihet në lartësi të ndryshme mbidetare, temperatura e ajrit shënon rënie me rritjen e lartësisë mbidetare, kjo rënie është 0,5˚ С në çdo 100 m të lartësisë së zmadhuar mbidetare.

Pyjet në Vodno

Kontributin më të madh në drejtim të hulumtimit të florës në malin Vodno, e ka dhënë botaniku gjerman Jozef Bormiler, i cili thekson 264 lloje. Në vitin 1969 është publikuar vepra më e rëndësishme për florën e Vodnos nga ana e R. Drenkovskit, në këtë vepër janë numëruar 1010 lloje, prej tyre 868 autoktone dhe 142 lloje të introduara. Së bashku ky numër është 1124, fakt ky i cili gjithsesi është impozant për një masiv të tillë të vogël.

Sipërfaqja e përgjithshme e mbuluar me vegjetacion në suaza të park – pyllit Vodno është 2593,12 ha.

Nga sipërfaqja e përgjithshme e mbuluar me vegjetacion, vegjetacioni i lartë shtrihet në një sipërfaqe prej 737,83 ha ose rreth 28%.

Qëllimi

Qëllimi afatgjatë themelorë lidhur me mbrojtjen e park – pyllit Vodno është mbijetesa afatgjate e pyllit dhe avancimi i tij, me qëllim të përmbushjes së të gjitha funksioneve mbrojtëse dhe të funksioneve që janë në dobi të përgjithshme. Park – pylli Vodno është ngritur si pyll me qëllim të posaçëm, dhe me një funksion të tillë duhet të mbijetojë.

Vodno është i pyllëzuar përmes rrugës artificiale me zbatimin e metodave dhe teknikave të ndryshme. Gjatë kësaj janë shfrytëzuar lloje të ndryshme të drunjve dhe të kaçubave, me qëllim që sipërfaqet e një trualli të zhveshur, jo produktiv dhe të nënshtruar nga erozioni, të shndërrohen në një vend të pyllëzuar.

Në këtë drejtim, me rëndësi të madhe është edhe edukimi se si më tej të veprohet me pyjet e këtij park – pylli, për faktin se gjithnjë e më tepër po zmadhohet numri i vizitorëve, gjithashtu po vërehen edhe potenciale të caktuara drejtë cenimit të pyllit, të cilët janë të natyrës biotike, por edhe me prejardhje abiotike.

Në park – pyllin Vodno, gjenden disa monumente natyrore dhe kulturore, të cilët pa mëdyshje nxisin interesin e vizitorëve. Këto janë:

  • Lokaliteti “Dardha e Markos” – mbetje të rrënojave mesjetare, që gjenden në pjesën lindore të depresionit veriorë dhe të njëjtit shtihen në një hapësirë prej 50 ha. Ky terren vështirë mund të kalohet, por deri te rrënojat qasja është e lehtë.
  • Lokaliteti Paleontologjik “Ura e Vogël”– gjendet nën fshatin Nerez i Poshtëm, në një lartësi mbidetare prej 500 m, dhe i njëjti paraqet një objekt tejet interesant. Këtu haset shtresa e linjitit thëngjillorë. Kurse mbi xeheroren haset shtresa e rërës së bardhë, në të cilën është gjetur fosili – mbetja nga Mastodonti, lloj ky paraardhës i  elefantëve të sotëm. Përskaj rëndësisë shkencore, mbetjet janë atraktive edhe për vizitorët.
  • Manastiri Shën Pantelejmoni dhe Shën Nikolla– këto dy manastire gjenden në grykën e malit të lumit Treska, dhe me të njëjtit duhet të veprohet në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e monumenteve kulturore – historike. Nëpër oborret dhe në vendet e vakëfeve, nuk lejohet sjellja e llojeve aloktone të drunjve dhe të kaçubave.
  • Maja ”Kalaja”– disponon vlera të posaçme, meqenëse paraqet trekëndëshin në mes vend derdhjeve të lumit Vardar, Treska dhe lumit të Markos. Në pjesën veriore, nën majën hasen bimë të rralla dhe interesante, të cilat duhet të mbrohen me masa të rrepta, siç janë: Ramondia nathaliae, Saxifraga scardica, Saxifraga grisebahii dhe Centaurea campylacme. Ky lokalitet është shumë interesant për nga aspekti i hulumtimeve shkencore, por mund të bëhet edhe destinacion interesant turistik.
Share