Me ardhjen e ditëve të ngrohta, gjelbërimi është ajo që spikatet me larminë e saj duke i dhënë freski dhe kolorit natyral. Lulet janë pjesë e asaj larmie. Kështu, me aktivitete intensive, ekipet në këtë periudhë filluan me mbjelljen e fidanëve të luleve sezonale. Këtë vit, 300,000 fidanë verorë u prodhuan në impiantet e prodhimit të ndërmarrjes. Nëpër të gjitha rajonet në lehet me lule dhe figura në të gjithë gjelbërimin e qytetit, në vijim e sipër është ndërrimi i fidanit të dimrit me fidan të ri të lules së verës. Nga llojet e fidanëve verore mbillen: tagetes, begonia, petunia, verbena, dahlia, cilozia, impatiens, koleus, si dhe perenë të llojit: santolina, livandë, rozmarinë etj. Përveç këtij zbukurimi me lule në gjelbërimin publik, gjatë kësaj periudhe në realizim e sipër është edhe rregullimi i sipërfaqeve të gjelbra duke mbjellë fidanë të rinj. Fidanët e rinj zbukurues dhe dekorativ tashmë mund të vërehen në gjithë qytetin, ku ekipet janë duke i mbjellë në më shumë vende në sheshe të gjelbra, korridore dhe parqe.

Share